Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘January Jones’

Titulli origjinal: The Boat That Rocked

Zhanri: Komedi, Dramë, Romancë

Skenari: Richard Curtis

Regjia: Richard Curtis

Premiera e shfaqjes: 13 nëntor 2009

Kohëzgjatja: 135 minuta

Rejtingu: +18, për shkak të gjuhës dhe disa skenave të shkurtëra nudo.

Kasti: Philip Seymour Hoffman, Bill Nigh, Rhys Ifans, Nick Frost, Kenneth Branagh, Tom Sturridge, Talulah Riley, dhe January Jones.

Një radio pirate, diku në ujërat e Oqeanit Atlantik, që dëgjohet nga më shumë se gjysma e një shteti, dhe që luan muzikë Rock n’ Roll, në vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar kur Rock n’ Rolli, është konsideruar si një huliganizëm nga qeveria britanike.

Radio Rock, do të thyej akullin dhe do të bëhet dashuria e miliona britanikëve.

E udhëhequr nga Kuentin (Bill Nighy), dhe nga DJ-të më të popullarizuar në Britaninë e Madhe, radioja ka arritur një audiencë prej mbi 25 milionë dëgjues. Stafi i radios, janë një shoqëri që ia kalon në mënyrë të shkëlqyeshme në mes veti, edhe pse jeta e tyre ishte e kufizuar në një anije, ku nuk lejoheshin të jetonin femrat, përpos Felicity (Katherine Parkinson), e cila është lezbike.

Count (Phillip Seymour Hoffmann), është DJ që ka ardhur nga Amerika për të zëvëndësuar Gavinin (Rhys Ifans), i cili do të kthehet nga turneu i tij në Amerikë për të shpëtuar radion. Të dy këta do të ken një rivalitet për DJ më të mirë.

Në anije gjenden edhe Dave (Nick Frost) një kopreznatues dhe Bobi kokëtrashë (Tom Brooke), dy personazhe të kundërta, por mjaft komike. Karli (Tom Sturridge) është kumbara i Quentinit, i cili në anije vjen pas përjashtimit nga shkolla.

Edhe pse mbi gjysma e popullsisë së Britanisë së Madhe e dëgjon radion vazhdimisht, qeveria dëshiron ta mbyll me çdo çmim. Është ministri Alistair Dormandy (Kenneth Branagh) dhe ndihmësi i tij Twatt (Jack Davenport), të cilët kanë kohë 12 muaj të mbyllin radion. Mbyllja e saj nuk është e lehtë për aryse se ligji nuk e ndalon atë.

Njoftimi me Bobin, moderatorin e programit të mëngjesit, është një skenë jo pak interesante, kur të gjithë stafi e shohin për herë të parë, pas shtatë muajve në anije.

Festimi i natës së fundit të beqarisë të Simon (Chris O’Dowd) me stafin në qytet, martesa dhe ndarja e tij nga gruaja pas vetëm 17 orëve, është një pjesë interesante që do të sjell skena mjaft qesharake.

Dhe si gjithnjë, Riçard Kurtis i ruan të mirat për fund. Ashtu siç ka bërë me Katër dasma e një funeral, Noting Hill, e Vërtetë Dashuri, edhe kësaj here fundi është pjesa më e mirë e filmit, edhe pse do të befasoheni, por ja vlen të kaloni dy orë në mjeshtrinë e fundit të Riçard Kurtisit.

Një film i zhanrit komedi, dramë, muzikë, e edhe romancë, me një skenar dhe regji të shkëlqyeshme nga Riçard Kurtis, dhe një kast aktorësh të cilët në bazë të asaj që shihet në film, duket të jenë argëtuar edhe gjatë xhirimeve.Për mendimin tim është njëri ndër filmat më të mirë të vitit 2009.

p.s. Mos harroni të merrni edhe kronikën zanore të filmit, apo siç e njohim Soundtracks. Ka disa këngë fantastike.

Luan Morina

Read Full Post »